Hajnaj inspekton pikat e kalimit kufitar në jug: Po punohet me kapacitete të plota deri në përfundim të sezonit

17 Gusht 2018, 18:05

Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, ka inspektuar pikat e kalimit kufitar në jug të vendit për të parë zbatimin e masave shtesë për sezonin veror 2018.

Hajnaj gjatë inspektimit në këto pika ka konstatuar se masat shtesë për një sezon turistik veror sa më të sigurtë po zbatohen me korrektësi nga ana e Punonjësve të Policisë dhe ka theksuar se zbatimi i këtyre masave ka sjellë më shumë siguri për pushuesit në të gjitha plazhet e vendit.

Aida Hajnaj ka kërkuar që ky angazhim dhe përkushtim të vijojë më me intensitet deri në përmbyllje të sezonit, si dhe ka kërkuar nga punonjësit e policisë performancë më të lartë, në drejtim të shërbimit por edhe të etikës dhe sjelljes, kundrejt qytetarëve dhe uniformës që ata përfaqësojnë.

Gjatë një interviste për mediat Hajnaj ka theksuar se gjatë sezonit turistik nëpërmjet Qafë- Botës kanë hyrë rreth 105 mijë shtetas ku 73 mijë janë shtetas të huaj , si dhe nga porti i Sarandës kanë hyrë rreth 125 mijë shtetas ku rreth 104 mijë janë shtetas të huaj. 

Gjithashtu Drejtore Hajnaj ka vlerësuar bashkëpunimin me rojen bregdetare dhe kullat e vrojtimit për dhënien ndihmë pushuesëve që u rrezikohej jeta nga mbytja në det, si dhe bashkëpunimin me homologët për parandalimin dhe goditjen e tafiqeve të paligjshme.