I plagosuri në ish-bllok, Ervis Martinaj lë spitalin e burgut, transferohet te qelitë e 302-shit

17 Tetor 2018, 10:55

Vetëm një ditë pasi e transferuan nga amjentet e spitalit Amerikan, në spitalin e Burgut pranë QSUT-së Tiranë, Ervis Martinaj, është transferuar në ambjentet e burgut 302 në Tiranë. Martinaj po qëndron në ambjentet e këtij burgu prej disa ditësh, ndërkohë që po pret të përmbushet dhe afati 30 ditor i qëndrimit në qeli, që vetë Gjykata e Tiranës ka vendosur për të. Burimet thanë se Martinaj vijon të mjekohet në ambjentet e burgut, pasi ende ka disa koplikacione me plagën që i është shkaktuar në qafë, nga goditja me pistoletë e Marviol Bilos. Transferimi i Martinaj, në ambjentet e paraburgimit 302, u realizua vetëm një ditë pasi qëndroi në spitalin e Burgut. Mjekimin Ervis Martinaj, e mer në qeli, ndërkohë që shpesh herë është vizituar në ambjentet e burgut nga doktorët e spitalit Amerikan në Tiranë.

Transferimi solli shkarkimin e Sulejmanit
Pas përplasjes së Policisë me mjekët e spitalit “Amerikan 2”, për pengesën që krijuan për transferimin e Ervis Martinajt në Spitalin e Burgut, Drejtoria e Burgjeve ka bërë kallëzim penal për spitalin. Ndërkohë nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Stefan Çipa ka shkarkuar nga detyra shefin e Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani pasi nuk zbatoi dot urdhrin e transferimit.

Zyrtarisht, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar masat e marra për pengimin e transferimit Ervis Martinit, duke konfirmuar si padinë penale ndaj spitalit ashtu edhe masat e marra ndaj punonjësve që nuk zbatuan në kohë vendimin e gjykatës. Sipas Ministrisë bazuar në vlerësimin e Institucionit të Mjekësisë Ligjore, ka rezultuar se në gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhet i paraburgosuri, trajtimi i tij mund të kryhet në Qendrën Spitalore të Burgjeve.