I shpëtoi tre atentateve, plagoset bodigardi i diskos në Sarandë

15 Shtator 2018, 14:50

SARANDË-Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri mëngjesin e ditës së djeshme në qytetin bregdetar. I plagosuri Arlind Lulushi 30-vjeç, punonte si bodigard në diskon ‘4Elements Night Club’ në Sarandë, ndërsa është një emër i njohur për policinë.

Sipas policisë, rreth orës 02:32 të mëngjesit të djeshëm në lagjen nr.1 Sarandë, në ambientet e jashtme të diskos ku punonte si bodigard, 30 vjeçari me banim në Vlorë u qëllua me armë zjarri nga një tjetër person, që dyshohet se është me inicialet D.M.

Autori duke përfituar nga errësira është larguar me një automjet nga vendi i ngjarjes. Disa orë pas ngjarjes, policia ka arrestuar për mos kallëzim krimi Joan Bulin 36 vjeç, lindur në Tiranë, me banim të përkohshëm në Sarandë, punonjës në diskon ku ndodhi ngjarja si bodigard.

Ndërkohë që vijojnë kërkimet për të arrestuar autorin e ngjarjes. D.M. 31 vjeç, ndërsa ende nuk dihen motivet e ngjarjes. Arlind Lulushi ka marrë dy plumba, njërin në këmbën e djathtë dhe tjetrin në të majtën.

Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës nga personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas u transportua në Tiranë për mjekim më të specializuar dhe sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.