Ikën nga kampi i azilantëve në Kosovë, Babalja arrestohet në Hungari

Albert Veliu, i njohur me nofkën “Dëshmitari X” në çështjen “Babale” është arrestuar në Hungari.

Prokuroria e Tiranës i tha Report Tv se është njoftuar për arrestimin e Albert Veliut nga autoritetet hungareze. Mësohet se Veliu është prangosur në fund të dhjetorit në Hungari teksa ishte arratisur nga kampi i azilantëve në Kosovë. 

Menjëherë pas njohjes me urdhërin e arrestit ndërkombëtar nga Hungaria, autoritetet shqipare i kanë kërkuar atyre ekstradimin e tij drejt Tiranës.

Kjo kërkesë ka mbërritur në Hungari në rrugë diplomatike dhe pritet që brënda muajit janar Gjykata atje të vendosë nëse do të ekstradojë apo jo, Albert Veliun.

Albert Veliu është vënë në hetim nga autoritet shqiptare pasi dyshohet se krijuan përgjimin e rremë ku përfshihej vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhfaj, Agron (Geron) Xhafën në një aferë trafiku kanabisi nga Vlora drejt Italisë.

Për këtë "audiopërgjim" në burg qëndron Fredi Alizoti ndërsa në gjendje të lirë hetohet gazetari Jetmir Olldashi. (SHIKO KËTU)

Fillimisht kjo dosje u hetua nga Krimet e Rënda ndërsa më pas u transferua tek Gjykata e Tiranës, ndërsa Albert Veliu fillimisht u arratis në Kosovë, ku edhe kërkoi azil politik. (SHIKO KËTU)

Por ende pa dalë kjo përgjigje ai është arratisur në Hungari aty ku dhe është prangosur.I kontaktuar nga Report Tv, avokati kosovar i Veliut njohur si Babalja shprehet se klienti i tij ka shkuar në Bruksel duke treguar edhe itinerarin e tij për t'ju bashkuar famijes.

"Më 19 dhjetor ka arritur në Hungari. Aty është ndalur deri më datë 27 dhjetor dhe më pas është lejuar që t’i bashkohet familjes së tij në Belgjikë. Unë jam njoftuar nga ai vetëm kur kam arritur në Bruksel. Dhe e kam ditur që është arrestuar në Hungari paraprakisht. Është larguar në rrugë që atij i janë dukur më të mira. Familja e tij ndodhej me muaj të tërë atje. Veliu është lejuar që t’i bashkohet familjes së tij dhe më 27 dhjetor është në Bruksel. Ka kërkuar azil politik atje. Pasi është sistemuar atje, ai thjesht më ka telefonuar dhe më ka falënderuar për punën e mirë që kam bërë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Ka deklaruar se dokumentacioni i prokurorisë dhe i policisë së Kosovës e ka ndihmuar shumë në proceduarat e kërkimit të azilit dhe është vërtetuar se në Kosovë ai juridikusht nuk ka qënë i sigurt. Unë besoj që autoritetet e Shqipërisë do të kërkojnë që ta kthejnë në Shqipëri për t’u përballur me akuzat e pretenduara ndaj veprimeve të veta apo të problemeve të sistemit. Sidoqoftë ky rast është bërë tepër i madh për shkak të implikimit të personave të caktuar dhe të implikimit të partive në Shqipëri."

Ende nuk dihet cili do të jetë qëndrimi i autoriteteve hungareze për dhënien apo jo të kërkesës së Azilit për personin kyç në zbardhjen e sajesës së audiopërgjimit kundrejt një pagese prej 200 mijë euro.