Ikin Donald Lu dhe Romana Vlahutin, zbulohet emri i ambasadorit të ri të BE në Shqipëri

25 Maj 2018, 15:53

Dy ambasadorët më të fuqishëm në Shqipëri, ndër më të unifikuarit që ka pasur ndonjëherë SHBA-ja dhe BE-ja në Tiranë, do të largohen nga vendi ynë së bashku.  Donald Lu dhe Romana Vlahutin janë në ditët e tyre të fundit në Shqipëri, pasi ju ka përfunduar mandati njëkohësisht.

Roli i tyre ka qenë tejet i fortë, kryesisht gjatë miratimit të reformës në drejtësi, duke u bërë garantë të zhbllokimit të këtij procesi, e duke ushtruar presion që çadra e opozitës të mbyllej dhe që Kushtetuta e re në 22 korrik 2016 të mos merrte asnjë votë kundër.

Pas këtij momenti, Donald Lu u angazhua fort në kërkim të ‘peshqve’ të mëdhenj, por asnjëherë nuk u kënaq me rezultatet. Romana Vlahutin ndoqi me vëmendje procesin tonë negociator me Brukselin, por herë pas herë u akuza nga PD se ishte emisare e Edi Ramës.
Donald Lu është caktuar nga Senati Amerikan për të vijuar detyrën e tij diplomatike në Kirgistan, dhe ende nuk dihet i përzgjedhuri i ri i Shtëpisë së Bardhë për në vendin tonë. Ndërkohë Vlahutin do të zëvendësohet nga Luigi Soreca, një italian që punon prej vitesh në rangje të larta në Bruksel dhe ka qenë i angazhuar me Shqipërinë gjatë procesit të liberalizimit të vizave.