Ish-blloku në shtetrrethim, Policia bllokon rrugët që të largojë 'të fortët' me makina luksoze

26 Tetor 2018, 22:03

TIRANE - Ish-Blloku, zona më e frekuentuar nga të rinjtë gjatë fundjavës vendoset në shtetrrethim nga Policia. Që prej masakrës në lokalin "Monopol" të Redi Popeskut, ku një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën, policia ka bllokuar disa nga rrugët e ish-bllokut për të mos lejuar qarkullimin e makinave në këtë zonë, duke krijuar kaos në trafik.

Veç bllokimit të qytetarëve që zgjedhin të kalojnë aty, kjo situatë ka krijuar problem dhe panik tek banorët e zonës, pasi për të shkuar në banesat e tyre duhet të kalojnë trafikun e krijuar nga bllokimet dhe të kalojnë në rrugicat e tjera, madje në shumë raste edhe kundravajtje. Burime nga policia kanë pohuar për Report Tv se këto masa janë marrë për të shmangur problematikat e krijuara nga personat me precedent si dhe për të shmangur “parakalimin e makinave luksoze” që është bërë modë për “të fortët”.Por këto masa ekstreme dhe të palajmëruara për banorët e zonës kanë shkaktuar panik tek banorët për faktin se nuk e dinë nëse bllokimi bëhet pas ndonjë informacioni që policia mund të ketë, apo rrezikut që mund t'u kanoset. Ky vendim i Policisë, për bllokimin e të gjithë rrugës tregon edhe pamundësine e policisë për të ndaluar kontigjentin e rrezikshëm apo “të fortët” me makina luksoze dhe përballë pamundësisë, zgjedhin të bllokojnë të gjithë rrugën.

Edhe pasojat për biznesin në atë zone janë shumë të mëdha, pasi veç banorëve e “të fortëve” bllokohen edhe të gjithë qytetarët që zgjedhin të frekuentojnë apo kalojnë në atë zonë. Gjithashtu ky veprim duket se nuk ka kordinim me Bashkinë e Tiranës, minimalisht për të mos bllokuar rezidentët, të cilët mund të pajisen me një kart rezidenti dhe t'u lejohet kalimi nga ana e policisë. Përballë problematikave të shfaqura, ky vendim, veç kaosit në trafik dhe frikës tek banorët ka rikthyer edhe njëherë postblloqet në hyrje-daljet e ish-Bllokut, që dikur ishin vendosur për ruajtjen e kupolës së drejtuese, ndërsa sot janë vendosur për të mos lejuar “të fortët”.