Ja super resorti në Rinas, pronë e 'Baronit' të drogës në Has

22 Tetor 2018, 18:43

Report TV disponon një dokument të detajuar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga ku tregohet gjithë dinamika e krijimit të laboratorit të drogës kapur disa ditë më parë në fshatin Brenog në Has. Sipas hetimeve intensive të prokurorisë së krimeve të rënda, Admir Hoxha është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku. Admir Hoxha thotë prokuroria ka mbajtur kontakte me H. Hoxhën, Saimir Gjepalin që të dy nga Shijaku me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Report TV mëson se H. Hoxha më parë ka qenë i dënuar në Turqi si i akuzuar për trafik heroine. Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy qytetarë turq I. S dhe N. C në Rinas si dhe dy personave te tjerë nga Kosova L. L dhe XH. S. Janë pikërisht këta dy persona nga Turqia thotë prokuroria ata të cilët kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur abjentin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar. Nga provat e mbledhura në laborator krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se “të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet material të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e Heroinës.

Të dyshuarit thotë prokuroria XH. SH, Admir Hoxha dhe dy turqit I.S dhe N. C në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Admir Hoxha dhe bashkëpunohet e tij turq dhe Kosovar nuk janë arrestuar ende. Admir Hoxha sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton të jetë pronar i resortit ADOR në Rinas biznes i regjistruar që prej vitit 2011 por më 2 Tetor 2018 ky biznes rezulton si i pezulluar. Mesditën e të hënës, Gjykata e Kukësit ka dhënë arrest me burg për 3 nga 5 të arrestuarit pas zbulimit të laboratorit të heroinës në fshatin Brenog të Hasit.

Gjykata vendosi masën “arrest me burg” për Xhevit Shutin, Flamur Çelën, Vehbi Barushin. Ndërsa për 76-vjeçarin Mustafë Shutin, ka dhënë arrest shtëpi. Kurse masa më e lehtë i është vënë të vetmes grua të arrestuar Anila Shutit, për të cilën gjykata e shkallës së parë në Kukës ka dhënë detyrim paraqitje.