Kalaja e Tiranës kthehet në zonë pedonale, Veliaj: Do jetë xhevahiri i radhës së kryeqytetit

15 Korrik 2018, 16:40

Pas Sheshit “Skënderbej” dhe Pazarit të Ri, Tirana do ketë një tjetër hapësirë pedonale, e cila pritet të shndërrohet në një nga vendet më të frekuentuara jo vetëm për kryeqytetasit, por edhe për turistët e huaj.

Kalaja e vjetër e Tiranës do t’i kthehet qytetarëve të saj si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin artizanisë, kulturës dhe artit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar punimet që po kryhen në brendësi të mureve të Kalasë dhe u shpreh i bindur se ky projekt do të jetë xhevahiri i radhës për Tiranën.

Në qetësi, pa zhurmë, pa bujë, pa histeri, e kemi kthyer “çarshinë” e Kalasë së vjetër të Tiranës, në një kantier i cili do transformohet në një tjetër hapësirë pedonale, të ngjashme, e ndoshta edhe më të mirë se sa Pazari i Ri.

Erion Veliaj, kryetar bashkie

Ai theksoi se kalaja e rinovuar do jetë gati brenda pak javësh, ndërsa tha se ashtu si Pazari i Ri, edhe kjo hapësirë do krijojë shumë mundësi punësimi dhe të bërit biznes.

Dua t’u bëj thirrje të gjithë sipërmarrjeve, të ngjashme me sipërmarrjet në Pazarin e Ri, që kanë një “tis” të kulturës, të traditës sonë, qoftë në kulinari, qoftë në artizanat, qoftë në muzikë, qoftë në shërbimet e tjera publike, të fillojnë interesimin dhe besoj se shumë shpejt do të jetë një nga pjesët më të vizituara të Tiranës.

Erion Veliaj, kryetar bashkie