Kastrioti në Superiore, festë në qytet

15 Prill 2018, 17:51

Ekipi i Kastriotit e ka dominuar nga fillimi deri në fund grupin A dhe diferenca e pikëve ka ardhur duke u thelluar nga java në javë dhe çka është më kryesorja loja e këtij ekipi ka qenë tepër bindëse. Me fitoren e fundit ndaj Besëlidhjes me rezultatin 3-0 Kastrioti i ka vënë vulën përfundimtare rikthimit në Superligë pavarësisht rezultatit të ndeshjeve të mbetura.

Kastrioti kthehet në Superligë pas 4 vitesh mungesë me fitoren ndaj Besëlidhjes e cila para dy vitesh i mohoi këtij ekipi ngjitjen. Ky sukses ka entuziazmuar pa mase tifozerinë e ekipit të Kastriotit. Në takimin me Besëlidhjen golat u shënuan në pjesën e dytë të takimit nga mesfushori Cutra i cili shënoi golin e parë pas një goditje dënimi nga largësi prej 25 metrash. Më pas shënoi Kabiru pas një rrëmuje në zonë dhe golin e tretë sërish Xhyrjet Cutra.

Emocion i madh, falënderoj djemtë, bëmë një sezon fantastik, shpresoj që të lëmë gjurmë në Superiore

Samuel Nikaj, trajner i Kastriotit

Jam i gëzuar për rezultatin, pjesëmarrja në Superiore ishte objektivi ynë, ua dedikoj tifozëve, të shohim përpara tani

Xhyrjet Cutra, mesfushor i Kastriotit

Fitorja erdhi në momentin e duhur përballë kundërshtarit që para dy viteve na mohoi Superioren. Jemi të gëzuar, tani të shohim përpara për vitin tjetër

Gazmend Vogli, drejtor i Kastriotit