Katastrofë ekologjike/ Vazhdon gërryerja e lumit Mat, dhjetëra eskavatorë nxjerrin inerte

18 Gusht 2018, 17:28

Gërryerja e lumenjve vazhdon çdo ditë e më shumë, nga ana tjetër institucionet shtetërore, si prefekturat, por edhe Drejtoria e përgjithshme e Baseneve Ujore thuajse çdo muaj bëjnë konferenca shtypi për ndërprerjen e këti aktiviteti të paligjshëm.

Por deri tani gjithçka ka mbetur vetëm në kronika televizive e në faqe gazetash, kurse firma e inerteve vijojnë aktivitetin pa u shqetësuar nga askush. Në gjithë gjatësinë e tij lumi Mat ka dhjetëra kompani inertesh të cilat gërryejnë lumenjtë edhe fare pranë urave. Edhe pse shumë ura rrezikojnë shembjen si pasojë e erozionit, por edhe shumë toka janë gllabëruar nga uji, Drejtoria e Menaxhimit të Baseneve Ujore nuk ka marrë asnjë masë për ta ndaluar këtë aktivitet.

Ekskavatorët e kompanive të inerteve çorientojnë rrjedhën e lumit në çdo orë të ditës e ata që duhet ta kontrollojnë aktivitetin e tyre nuk e marrin mundimin për të kontrolluar këtë katastrofë ekologjike.