Këngëtari grek në Tiranë, artistët kundër: Është antishqiptar! Bojkotojeni fashistin

21 Maj 2018, 21:00

Notis Sfakianakis mund të jetë një ndër këngëtarët më të mirë të muzikës greke, por është i njohur për bindjet e tij antishqiptare, fyerjet për popullin tonë dhe mbështetjen për partinë “Agimi i Artë”. Kjo ka bërë që ardhja e tij në Tiranë për të mbajtur një koncert në pallatin e Kongreseve me bileta deri në 21.000 lekë të rinj,  të ndezë menjëherë një debat të gjerë në radhët e analistëve dhe artistëve në vendin tonë.

Kantatori Elton Deda, duke publikuar një shkrim kundër artistit grek, thotë se nëse ato që shkruhen janë të vërteta, do të bëhej me dëshirë një nxitës i bojkotit. Deda thotë se do të ishte tepër e ulët t’i dhurosh duartrokitje dhe të paguash dikë, që të ka konsideruar racë inferiore.
Qëndrimin hapur kundër për ardhjen e Notis Sfakianakis, e shpreh edhe kompozitori dhe këngëtari Flori Mumajesi, duke shpërndarë një thirrje për bojkot të koncertit. Jonida Maliqi e quan Sfakianakis një monstër që në vendin e tij nuk e begenisin më, dhe vjen në Shqipëri në një koncert me çmim bilete të fryrë.

Më herët edhe shkrimtari Gazmend Kapllani ka komentuar vizitën e tij në Shqipëri, duke u shprehur se i vjen çudi se si shqiptarët do paguajnë nga 100 apo 200 euro për një këngëtar grek që i quan shqiptarët “plehra” e këndon për Agimin e “Artë”.