Kërkesë urgjente nga Serbia dhe Rusia, Këshilli i Sigurimit mblidhet të hënën për Ushtrinë e Kosovës

15 Dhjetor 2018, 17:50

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës ka sjellë reagimin e Serbisë dhe Rusisë në OKB. Këto dy shtete kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, e cila do të mbahet të hënën në mbrëmje. Agjencia ruse e lajmeve njofton se Serbia me shumë gjasa do të përfaqësohet nga vetë presidenti Aleksandar Vuçiç.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, për të votuar draft-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, që ka të bëjë me parimet dhe udhëheqjen e pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë. Në këtë dokument kërkohet që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës dhe se çështja e kufirit të Kosovës me Serbinë të mos vihet në diskutime.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit u vendos që të thirret të hënën në mbledhjen paraprake të së premtes në mbrëmje, ndonëse vendet anëtare ende nuk kanë vendosur nëse do të mbahet me dyer të hapura apo të mbyllura. Moska dhe Beogradi këmbëngulin për ta mbajtur të hapur mbledhjen, ndërsa nje grup vendesh perëndimore duan që ajo të mbahet me dyer të mbyllura. Kryesuesi i rradhës, që është Bregu i Fildishtë, vijon të negociojë me palët.