Klevis Dalipi dhe futbollistët konfirmohen nga klubi i Partizanit

24 Prill 2018, 21:22

Klubi i Partizanit sqaron zyrtarisht çështjen e trajnerit dhe lojtarëve. Në një deklaratë për mediat, theksohet se trajneri Klevis Dalipi gëzon mbështetje të plotë nga klubi, ashtu sikurse edhe lojtarët.

Deklarata e plotë e klubit të kuq:
Duke marrë shkas nga lajmet e publikuara së fundmi në mediat sportive në lidhje me të ardhmen e lojtarëve tanë dhe trajnerit të ekipit Klevis Dalipi, klubi distancohet nga pavërtetësia e tyre, duke specifikuar se trajneri Dalipi do të vazhdojë të jetë në drejtimin e skuadrës.

Ai gëzon mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit, sikurse dhe lojtarët, kontratat e të cilëve janë vënë në diskutim në shkrimet në fjalë, janë tërësisht të përqendruar për të arritur objektivat e klubit dhe deri tani kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë të përfaqësojnë ngjyrat e Partizanit.

Për më tepër, vendimin për trajnerin drejtuesit e klubit e kanë konfirmuar në vazhdimësi dhe e ka rikonfirmuar pak ditë më parë edhe vetë presidenti Demi, përgjatë një prononcimi dhënë për emisionin “Zona Gol”.

Kreu i 15-të herë kampioneve të vendit i ka dhënë mbështetje të plotë trajnerit Dalipi, madje duke i konsideruar “barcaleta” dhe aspak të vërteta informacionet që mediat e shkruara servirin për opinionin sportiv.

Insinuatat e pavërteta për probleme brenda klubit, si dhe aludimet për emra trajnerësh, pikërisht në prag të ballafaqimeve të rëndësishme në këtë fazë kyçe të kampionatit, konsiderohen tendencioze me qëllim për të destabilizuar harmoninë në skuadër dhe punën e trajnerit Dalipi.

I tërheqim vëmendje mediave të jenë më korrekte në informacionet që përcjellin dhe ju rikujtojmë se në çdo rast mund të kontaktojnë me zyrën për shtyp të klubit e cila mbetet gjithmonë në shërbim të tyre.