Kontrolli i politikës, deputetët që kërkojnë Veting të dënuar dhe me nga 2 emra

15 Shtator 2018, 23:25

Dyzetë e katër deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë firmosur propozimin e depozituar në Kuvend, për Vetingun e politikanëve për lidhjet me krimin, duke përjashtuar familjarët e tyre, sa i takon ligjshmërisë së pasurive. Në listën e deputetëve firmëtarë bien në sy edhe disa ligjvënës të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, deputetë që kanë ndryshuar emrat, persona me dosje të pagjykuara si dhe ligjvënës të akuzuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për korrupsion. Zonja Kryemadhi nuk e ka emrin në listën e deputetëve firmëtarë, ndërsa është shprehur kundër monitorimit të Vetingut të politikanëve nga ndërkombëtarët siç po mbikëqyrin Vetingun në drejtësi, ndërsa sa i takon përjashtimit të familjarëve të politikanëve, ka pohuar se familjarët janë hetuar.

Firmëtarët
Lista e deputetëve propozues të amendamenteve për Vetingun e politikanëve kryesohet nga kryetari i PD, Lulzim Basha. Kreu i opozitës është marrë më parë i pandehur për dosjen e abuzimit prej 230 milionë eurosh me Rrugën e Kombit, dosje e cila nuk është gjykuar ende nga një gjykatë, por është arkivuar me manovra procedurale. Nisma është firmosur edhe nga deputeti i PD, Edi Paloka, i dënuar dy herë për organizim të manifestimeve të paligjshme dhe shpifje. Sipas formularit të dekriminalizimit, Paloka është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me vendim nr 10, datë 12.01.2001, për veprën penale të organizimit të manifestimeve të paligjshme, parashikuar në nenin 262/1 të Kodit Penal. Po ashtu, Paloka është dënuar nga Gjykata e Lartë, me vendim nr. 8, datë 05.06.2015, për shpifje, parashikuar në nenin 120/2. Paloka gjithashtu është arrestuar nga Policia e Tiranës në flagrancë, në datën 29.11.2000, me akuzën e parashikuar në nenet 262/1 dhe 236/2 të Kodit Penal, pra për manifestim të paligjshëm dhe kundërshtim të forcave të policisë. Propozimi është firmosur edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Qarku Lezhë, Anton Frrokaj, i cili ka ndryshuar gjeneralitetet. Emri i mëparshëm i tij rezulton se është Anton Biba. Amendamentet kushtetuese mbajë edhe firmën e deputetit Xhemal Gjunkshi. Ky i fundit ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në kabllogramet e Ambasadës Amerikane, publikuar në 2011, akuzohej nga ambasada e SHBA në Tiranë, për korrupsion të frikshëm, pasi kupola e institucionit që drejtohej prej tij u merrte deri në 7 mijë dollarë ushtarëve shqiptarë që shkonin me mision në Irak dhe Afganistan.