Krijohet kompania ajrore shqiptare ‘Air Albania', aksioner Presidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi

Pas promovimit dhe prezantimit se në qershor 2018 do të niste fluturimet e para ‘Air Albania’, qeveria shqiptare i hap rrugën ligjërisht kompanisë shqiptare “Air Albania”. Me vendimin numër 309 datë 16 maj 2018 firmosur nga kryeministri Edi Rama është krijuar “Air Albania” e cila ka si aksionerë Albcontrol SHa, MDN Investment dhe Turkish Airlines. Aksionerët janë tre kompanitë e sipërcituara ndërsa Albcontrol në këtë ortakëri do të përfaqësojë interesat shtetërore. Albcontrol dhe MDN Investment sipas vendimit të qeverisë do të kenë mazhorancën e aksioneve prej jo më pak se 51% të tyre ndërsa pjesa takuese prej 49% i kalon Turkish Airlines.

Por kush është pronari i kompanisë shqiptare pas MDN Investment? Sipas verifikimeve në qendrën kombëtare të regjistrit të bizneseve rezulton se MDN Investment kompania shqiptare e cila do të jetë ortake me pjesën më të madhe të linjës ‘Air Albania’ është në pronësi të Sinan Idrizit. Kompania MDN Investment u krijua sipas të dhënave në QKR më 3 Maj 2018 me seli në Vlorë me administrator dhe ortak të vetëm Idrizin. Marrëveshja mes ortakëve do të nënshkruhet 10 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi i cili është publikuar në fletoren zyrtare numër 82 datë 6 qershor 2018.