Krujë, familja Zherri bën apel për ndihmë pasi jeton në kushte të vështira ekonomike

24 Prill 2018, 19:41

Familja Zherri në fshatin Larushkë të Krujës, jeton në kushte tepër të vështira në shtëpi dhe me të ardhura minimale. Gjendja e kësaj familje është pa ndryshuar që prej dy dekadash, ndërsa për ta askush nuk është kujtuar për t’iu dhënë ndihmë.

Janë 11 anëtarë, të cilët jetojnë me 17 mijë lekë në muaj, pension invaliditetit, të cilat i marrin, pasi nga mjekët janë përcaktuar si të sëmurë me probleme mendore. Për këtë familje askush nuk ka pasur mirësinë të akordojë ndonjë fond apo ndihmë ekonomike. Ata vetë e kanë të pamundur për ta kërkuar atë. Qamil Zherri tregon vështirësitë e të jetuarit në kushtet e skamjes. Ai thotë se askush nuk i ka ndihmuar:

Jetojmë duke mbledhur kanaçe rrugës ose hekura, nuk marrim asnjë ndihmë ekonomike nga askush.

Qamil Zherri

Edhe Samiu, vëllai i Qamili thotë se me zor ia dalin për të siguruar bukën e gojës, e atë duke mbledhur kanaçe e bidona plastikë në koshat e plehrave.

Jemi 11 veta në familje, jetojmë me kanaçe, bidona. Mezi sigurojmë bukën, përkrahje sociale nuk marrim.

Sami Zherri