Kryebashkiaku Veliaj: Pronarët që preken nga projekti i “Unazës së Madhe” do të shpronësohen

17 Nëntor 2018, 19:00

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në një bashkëbisedim me banorët e Vaqarrit për buxhetin 2019 sqaroi se pronarët që preken nga projekti i “Unazës së Madhe” do të shpronësohen, kurse për ndërtimet pa leje do të ketë 3 vite bonus qiraje dhe banesa sociale.

Veliaj solli edhe disa shembuj sesi ajo zonë është “pushtuar” nga llotot, lavazhet, gomisteritë dhe shtëpitë me nga 8 kate pa leje.

E kuptoj kur nga nevoja njeriu ndërton shtëpi për të jetuar, por 8 kate nuk është nevojtar, o miqtë e mi! Pse duhet t’ia marrë qeveria, bashkia lekët modeste të taksave dikujt në Vaqarr dhe në vend që të bëjmë shkollën këtu, në vend që të bëjmë rrugën, duhet t’i japim lekë dikujt që thotë ‘jam den baba den’ në një shtëpi me 8 kate, ku qartazi as i ka mbaruar 8 katet? Protestuesi më i madh, Eurolloto!

Po pse duhet njerëzit që s’luajnë baste të shpronësojnë një lloto?! Pse mos bëjmë një kopësht në Vaqarr, por duhet të japim lekë për lloto? Pse do heqim lekët e çerdheve për të shpronësuar një pikë bastesh, a ma thoni dot?! Për çfarë po protestojnë? Ky lavazhi ishte trotuar, i ka vënë vetëm këtë tendën portokalli dhe thotë më shpronësoni. Po kë të shpronësojmë more? Trotuari ishte i yni, i të gjithëve.

Lekët do t’ia japim për shtëpinë, kush nuk ka asnjë letër, do t’i japim shtëpi sociale. Kush nuk ka asnjë gjë në botë, do t’i japim 3 vite qira falas. Të ndezin zjarr sa të duan, të djegin goma sa të duan, por fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij qyteti e kemi vetë në dorë. Ose do të shkojmë përpara dhe do të ecim me zhvillimet e Tiranës, ose do të ngelemi mbrapa dhe nuk do e kapim kurrë veten.

Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës