Kufijtë/ Hashim Thaçi: Marrëveshje me Serbinë për integrim në BE. Albin Kurti: Në 29 shtator fillojnë protestat

18 Shtator 2018, 17:18

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për mediat ka njoftuar se prej 29 shtatorit në Kosovë do të nisin protestat për çështjen e kufijve.

Deklarata e Kurtit vjen pak orë pas konferencës që mbajti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili i mëshoi sërish idesë për një korrigjim kufijsh me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje.

Thaçi ka komentuar edhe deklaratat e kancelares gjermane, Angela Merkel se një marrëveshje e tillë kthehet në precedent negative. Për presidentin kosovar kjo marrëveshje mund të kthehet në një precedent pozitiv.

Marrëveshja për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse arrihet do të jetë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. I hap rrugë për anëtarësim në OKB dhe BE. Do t’i sjellë njohjen reciproke. Korrigjimi paqësor i kufirit mund të përdoret si precedent pozitiv, për të zgjidhur këto çështje me paqe dhe pa luftë.

Hashim Thaçi, president i Kosovës

Por për Kurtin, deklarata e Thaçit është një sinjal se orientimi i Kosovës nuk është më BE por Rusia. Kurti iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në protesta, pasi sipas Kurtit, një popull nuk i nënshtrohet dot një njeriu.

Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu. Ruajtja e integritetit territorial janë jo vetëm e drejtë por detyra jonë si politikan. Duan të na rrudhin territorin e Pavarësisë. Pazaret e Thaçit me Vuçiç s’i paguajmë ne sepse një popull nuk i nënshtrohet një njeriu.  Më 7 dhjetor miratuam në Kuvend, parimin e reciprokitetit me Serbinë. Ishte Thaçi që e kundërshtoi me një kundër rezolutë. Ne e respektojmë këtë parim dhe e pranojmë referundimin e 1992. Mos shihni vetëm tekstin por edhe kontekstin. I ka mashtruar kosovarët për vite me radhë. Duhet të jemi vigjilentë. Ky s’do më takim me Merkel por me Putin. Po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë. Prandaj themi se një popull s’i nënshtrohet një njeriu. Prandaj qytetarët të dalin në protesta duke filluar nga 29 shtatori.

Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje