Kukësi thyen rekord me Gurin, Presidenti Gjici: Nuk mbaron këtu

16 Maj 2018, 19:32

Sindrit Guri ka thyer një rekord në futbollin shqiptar, pasi është i pari që kalon shifrën e 500 mijë eurove, ndërkohë që klubi i Kukësit do të ketë edhe 20% të kartonit të tij. Presidenti Safet Gjici ka treguar detajet e transferimit në Belgjikë të Gurit, duke i uruar vetëm suksese.

Numri një i klubit verilindor, në një intervistë për Report Tv, tregon edhe ambiciet për në Evropë, ndërsa ndjen keqardhje për Vllazninë, që është vetëm një hap larg rënies nga Kategoria Superiore.

Transferimi i Sindrit Gurit tek Oostende në Belgjikë nuk ishte surprizë e madhe, pasi dihej që ishin disa klube prestigjoze në Evropë teksa kërkonin shërbimet e sulmuesit të Kukësit. Por me firmosjen e kontratës 3 vjeçare, thyhet një rekord, pasi Guri është futbollisti i parë shqiptar që kalon shifrën e 500 mijë eurove. Detajet e këtij transferimi rekord i tregon presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili në një intervistë për Report Tv, ka pohuar se 20% të kartonit i ka klubi verilindor.