613 kg kokainë në Maminas, prokuroria kërkesë gjermanëve: Merrni në pyetje Arbër Çekajn

Në një kohë kur në 28 Shkurt 2019, përmbushet afati 1 vjeçar, i hetimit të dosjes së sekuestrimit të 613 kg kokainë të kapur në Maminas, prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkon dëshminë e Arbër Çekaj, pronarit të kompanisë “Arbri Garden”, që është arrestuar në Gjermani, në magazinën e të cilit u kap droga. Në dobi të hetimit të nisur në shkurt 2018, prokuroria e Krimeve të Rënda, i është drejtuar pak kohë më parë me një letërporosi autoriteteve Gjermane, duke kërkuar, që oficerët gjermanë, të cilët po kryejnë hetime paralele me Shqipërinë, për trafikun e kokainës, të marrin në pyetje biznesmenin Arbër Çekaj. Intervistimi i këtij të arrestuari shqiptar në Gjermani do konsistojë në mënyrën e porositjes së konteinerit me banane dhe pranisë së 613 kg kokainë e pastër brenda në konteiner. Aktualisht në Shqipëri për këtë çështje janë të arrestuar menaxheri i kompanisë “Arbri Garden” Donaldo Lushaj dhe një shofer kamioni i quajtur Armando Pezaku. Të dy këta persona ndodhet në qeli, ndërkohë të dy ata kanë refuzuar të bashkëpunojë me prokurorinë, duke deklaruar se nuk kishin dijeni që brenda në dyshemenë e konteinerit të gjendej sasia prej 613 kg kokainë.

Pritet që pas marrjes së dëshmisë në Gjermani dhe të biznesmenit Arbër Çekaj, prokuroria e Krimeve të Rënda deri në muajin shkurt pritet të marrë një vendim nëse do arrestojë persona të tjerë për këtë çështje, apo do mjaftohet me tre personat e proceduar Arbër Çekaj, Donaldo Lushaj shoferin e kamionit Armando Pezaku, duke i çuar të pandehur në gjykatë. Çekaj njihet dhe si mik i disa biznesmenëve me origjinë nga Kukësi dhe Tropoja, të cilët janë identifikuar dhe marrë në pyetje nga prokuroria. Njëherësh Çekaj, rezulton të jetë kushëri i parë i Eldi Dizdarit, person ky që është përfolur si strumbullari i konfliktit të Ervis Matën, të fejuarin Elvana Gjatës me grupin e Ervis Martinajt. Konflikt nga i cili ndodhi dhe masakra në ish-bllok në 4 tetor 2018, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martini dhe Eljo Hato.