Lahuta, trashëgimi kulturore serbe? Ministria e Kulturës: UNESCO nuk ka marrë vendim

5 Dhjetor 2018, 18:51 | Përditesimi i fundit: 2018-12-05 19:17:32

Regjistrimi i lahutës, si pasuri e Serbisë, në Trashëgiminë Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO është pritur me reagime të shumta nga shqiptarët. Këtë vendim e konsiderojnë, mospërpjekje sa duhet të ministrisë sonë të Kulturës për këtë pasuri të rrallë. Megjithatë Ministria e Kulturës sonë për mediat shkruan se: “Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare, por serbe’.

Sipas Ministrisë së Kulturës, në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit "Të kënduarit në shoqërimin e Gusle" (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e "Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë shton më tej se është në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë asekt kulturor specifik. Megjithatë muzikologët shqiptarë, siç është edhe Vasil Tole, që ka bërë dorëzimin e dosjes së Deposit të Kreshnikëve në UNESCO, ku përfshihet edhe lahuta që në vendin tonë përdoren në disa zona, si në Krujë, në Malësi të Madhe, Hot e Grud, Kelmend, Kastrat, Rranxat e Shkodrës, Dukagjin, Postrribë, Shllak, Nikaj-Mërturi dhe në zonat e Malësisë së Gjakovës, është shprehur se duhet punuar më shumë nga institucionet, në mënyrë që UNESCO ti njoh këto pasuri të rralla shiptare. Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpi e lanun”. Ishte marre (turp) për malësorin të mos e kishte një pushkë e një lahutë. Me telin e saj rapsodët i kanë kënduar Mujit e Halilit, kreshnikëve që shtrinin 7 pashë nën dhé bajlozët e zinj.