Librazhd, furgoni i mallrave bie 40 metra në humnerë, plagosen 3 të rinj, shoferi rëndë

17 Nëntor 2018, 10:43

LIBRAZHD-Një aksident është regjistruar në orët e para të ditës së sotme në fshatin Pishkash ku një furgon mallrash ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar 40 metra në humnerë. 

Report Tv siguron pamjet nga vendi i ngjarjes, ku furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një përrua duke u përmbysur. Sipas policisë, furgoni me targa AA 369 UF, me drejtues Markel Merkollin 32 vjeç, banues në fshatin Vloçisht në Korçë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 40 metra në humnerë. 

Si pasojë janë aksidentuar drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët, Endri Merkolli 22 vjeç, dhe Kristo Çika 31 vjeç, banues po në fshatin Vloçisht Korçë, të cilët janë transportuar për në spitalin e Librazhdit. Nga aksidenti Endri Merkolli paraqitet në gjendje më të rëndë se dy pasagjerët dhe pritet që të transportohet për në Tiranë. 

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se ka qenë humbja e kontrollit nga lagështira në rrugë ose përgjumja e shoferit.

Pasditen e djeshme u regjistrua një tjetër aksident në Qafë Thanë, ku një autobus me gjimnazistë nga Fieri doli nga rruga si pasojë e lagështirës (Lexo këtu).