Ligji i ri i avokatisë, të huajt nga vendet e BE-s mund të ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë

18 Gusht 2018, 13:13 | Përditesimi i fundit: 2018-08-18 13:17:06

Avokatët shqiptarë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për këtë shërbim do të përballen dhe me konkurencën e tregut europian. Për herë të parë avokatët e huaj të cilët kanë një diplomë të marrë në një nga vendet e BE-s mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe në vendin tonë dhe brenda tre viteve mund të fitojnë të drejtën për të hapur studio avokatie.

Këtë të drejtë e kanë edhe të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët kanë studiuar dhe kanë fituar diplomën në një nga vendet e BE-s. Ky ndryshim është parashikuar në nenin 23 të ligjit nr 55/2018 i cili ka hyrë në fuqi nga e premtja 17 gusht 2018. Sipas këtij ligjit hiqet detyrimi për të dhënë provimin e avokatisë në gjuhën Shqipëri për shtetasit e huaj dhe mjafton që ai të ketë një kontratë bashkëpunimi me një studio shqiptare dhe brenda tre viteve të aplikojë për të hapur studion e tij.

Ky nen i ndarë në dy paragrafë parashikon se “Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë ka të drejtë ta ushtrojë edhe çdo shtetas shqiptar ose i huaj, që ka fituar titullin e avokatit në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, sipas rregullave të atij shteti anëtar dhe ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me një studio avokatie në Republikën e Shqipërisë, e njohur dhe e regjistruar si e tillë në Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë dhe në organet tatimore”.

E pas këtij hapi avokati apo avokatët e huaj mund të aplikojnë për lejen e hapjes së studios së tyre me kushtin që “Avokati i huaj, i cili ushtron profesionin e avokatit në mënyrë të rregullt dhe efektive, pranë një studioje avokatie, në përputhje me pikën 1, të këtij neni, për një periudhë jo më pak se tre vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të kërkojë pranë Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë të drejtën për të ushtruar në mënyrë të pavarur profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë.