Lojërat e fatit/ Artan Hoxha: Sot kemi mbi 4 mijë pika, drejtues policie me rroga fikse në kompani bastesh

Mbyllja e lojërave të fatit ka qenë tema e diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ të drejtuar nga Denis Minga. Gazetari i Report Tv, Artan Hoxha u shpreh se numri i pikave të basteve në Shqipëri aktualisht është mbi 4 mijë, ndërsa shtoi se kompanitë e licencuara mund të padisin qeverinë në gjykatat ndërkombëtare për mbylljen. Sipas tij, kompanitë jo vetëm që kanë financuar në fushata politike, por ka pasur drejtues policie që merrnin rroga fikse në këto kompani bastesh.

Deri tani në të gjithë vendin janë 4243 pika bastesh. Janë vetëm 3 kompani të licencuara dhe 19 të tjera punojnë me NIPT-e sekondare dhe kanë pjesën e luanit. Ata kanë licenca 10-15 dhe mund të na çojnë në gjykatat ndërkombëtare. Mbështes apelin e Baba Mondit, mbështes nismën, por çfarë ndodh mbrapa? Kë do të ndalojë?

Vetëm kompanitë e basteve, kazinotë, online-et, janë shumë emra të përfshirë. Brenda janë shumë interesa, bota e errët. Pjesa e padukshme është shumë herë më e madhe se ajo që duket.  Është një gjë kaq e bukur sa vështirë që do të ndodhë. Te vettigu shikoni sa gjyqtarë kanë deklaruar se kanë fituar nga bastet. Ka drejtues komisariatesh që kanë qenë me rroga fikse në këto kompani bastesh. Kompanitë janë shumëfishuar se kanë financuar fushata.

Artan Hoxha

Por ish-deputeti i PD, Fatbardh Kadilli thotë se gjithçka është një shoë nga Rama për të larguar vëmendjen nga problemet sociale. Ai akuzoi se Rama e ka iniciuar këtë nismë, pasi do të përfitojë një kompani që e kanë njerëzit e tij. 

Është spektakël, pasi në 2013 ishte 900 pika, atëherë u tha se ishte fundi i marrëzisë, paska qenë fillimi i marrëzisë, pasi tani janë mbi 4 mijë. Dhe tani e ka të drejtën një operator i vetëm. Qeveria e ka kopsitur atë që do të ndodhë. Është përfolur edhe vëllai i tij në skemën e monitorimit. Por ku jemi sot, çfarë është bërë me këtë kontratë për 10 vite?

Unë do isha i kënaqur për cdo përpjekje për të rregulluar dhe redukton këtë biznes. Nuk çrrënjoset, pasi kur nuk është çrrënjosur në kohën e komunizmit. Rama do që ta monopolizojë tani.

Nëse vijon kështu ky kryeministër nuk i kap Krishtlindjet. Rama e ka iniciuar këtë nismë për t’i çuar te 'online' dhe përfituesit janë njerëz afër tij. Në QKR kjo kompani është regjistruar nga një 75-vjeçare që nuk ka lidhje me këtë gjë.

Fatbardh Kadilli

Ish-drejtuesi i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari beson se Rama do ta çojë deri në fund këtë nismë.

Deri sa të miratohet ligji do të ketë kundërshtarë të fortë, pasi ka deputetë apo ministra që e kanë ves. Por këtu ka edhe interesa përveç vesit. Rama ka marrë përsipër një rrisk politik. Nëse nuk bëhet kryeministri nuk ka ku të kërkojë llogari. Nëse nuk bëhet edhe brenda kësaj shumice paska interesa kriminale.

Shkëlqim Hajdari

Qeveria ka depozituar në parlament projektligjin për mbylljen e pikave të basteve deri në 31 dhjetor të 2018. Në ligjin aktual është parashikuar që kazinotë elektronike dhe bingot tradicionale ushtrojnë aktivitetin deri në 31 dhjetor 2018. Ndërkaq, në projektligj është parashikuar që në 31 dhjetor 2018 të mbyllen edhe bastet sportive ose llotot si dhe bastet për gara në pistë.