Lushnje/ Stuhia shkatërron mbi 70 hektarë vreshta, fermeri: Jam plak pensionist, iku rrushi im për 20 minuta

18 Gusht 2018, 17:41

Stuhia e fortë e shoqëruar me breshër mbremjen e së premtes ka shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë fshatrat e njësisë administrative Allkaj, në bashkinë e Lushnjes.

30 minuta kanë qenë të mjaftueshme për të hedhur në tokë jo vetëm prodhimin e rrushit pak ditë para vjeljes, por forca e stuhisë ka këputur dhe shtyllat e betonit.

Dëmet për familjet fermere të kësaj zone janë të pallogaritshme, pasi u është dëmtuar i gjithë prodhimi. Probleme janë shkaktuar edhe në kultura të tjera, si mollë, dardhë e misër.

Nga të dhënat paraprake të marra në terren, janë dëmtuar plotësisht mbi 70 hektarë vreshtari dhe kultura të tjera bujqësore.

Fermerët kanë mbetur të shokuar nga kjo fatkeqësi e natyrës, ndërsa më të vjetrit shprehen se nuk e kanë parë prej vitesh këtë lloj katastrofe natyrore.