Majko debaton me Ramën dhe largohet nga Kuvendi duke mos e votuar ligjin për teatrin

5 Korrik 2018, 23:29

Ministri i Diasporës Pandeli Majko nuk e ka votuar seancën e kësaj enjteje projektligjin për teatrin, që u miratua me 75 vota. Majko ka pasur dhe një debat më kryeministrin Edi Rama, ndërsa REPORT TV sjell pamjet e momentin ku duken Rama dhe Majko që po debatojnë nga vendet e tyre.

Për shkak të largësisë është e vështirë të dëgjohet se cfarë thonë Majko dhe Rama por duket se kemi të bëjmë me një mosdakortësi nga gjestet.  Pandeli Majko më pas është ngritur dhe është larguar nga salla, duke mos votuar. Në 2002 kur ishte kryeministër, Majko kundërshtoi projektin për shembjen e teatrit.

Ishte deputeti demokrat Florian Mima që në fjalën e tij në kuvend përmendi faktin se Pandeli Majko dhe Kryeministri Edi Rama kanë debatuar. Ai aludoi se Majkon e përzunë pasi kundërshtoi votimin e këtij projektligji.  REPORT TV mëson se sot nuk kanë votuar në parlament as deputetët Paulin Sterkaj dhe Spartak Braho, të cilët nuk kanë ardhur për arsye shëndetësore. Ndërkohë nuk ka votuar as deputetja Reme Lala, e cila nuk dihet se përse nuk ka ardhur në kuvend.