Makinat e vjetra, Ministria e Mjedisit propozon taksë shtesë që në blerje

25 Maj 2018, 09:55

Një taksë e re parashikohet të vendoset për automjetet. Për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të mbetjeve nga makinat në fund të jetës, dokumenti - ende draft - i qeverisë, propozon që të ngrihet një sistem për grumbullimin dhe transportin e automjeteve në fund të jetës në impiantet përkatëse të trajtimit.

Por, duke qenë se kjo mund të shoqërohet me kosto shtesë, propozimi përfshin vendosjen e një tarife shtesë – taksë e re - që do të paguhej nga qytetarët apo bizneset.

Propozimi ka ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe, sipas tij, kjo taksë duhet të paguhet në doganë për qytetarët që i blejnë automjetet nga jashtë ose tek koncesionarët, kur makina blihet brenda vendit. "Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit," thuhet në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Mjedisit.

Sipas Ministrisë, kjo taksë nevojitet për të ndryshuar situatën e rënduar, ku një pjesë e madhe e automjeteve, që dalin jashtë përdorimit, përfundojnë në “varreza”, duke ndotur ambientin.

“Ministritë e linjës duhet të hartojnë programe informimi për të inkurajuar qytetarët, pronarët e automjeteve në fund të jetës për t’i sjellë ato në pikat e duhura të mbledhjes. Edhe mbetjet nga anijet, nga objektet lundruese, nga hekurudhat dhe avionët duhet gjithashtu të përfshihen në sistemin për menaxhimin e automjeteve në fund të jetës dhe i duhet kushtuar rëndësia e duhur, kryesisht për materialet e rrezikshme që ato përmbajnë. Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit”, thuhet në relacionin shoqërues të këtij dokumenti.