Manastirliu: Për herë të parë ngremë qendrën e hemodinamikës në Fier për t’ju përgjigjur në kohë urgjencave kardiake

22 Prill 2018, 21:46 | Përditesimi i fundit: 2018-04-22 21:47:50

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektoi spitalin rajonal të Fierit ku pa nga afër investimet në infrastrukturë dhe pajisje biomjekësore në këtë spital. 

Në spitalin e Fierit kanë ndodhur ndryshime radikale në infrastrukturë dhe në pajisje biomjekësore. Sapo është instaluar grafia e re, grafia e lëvizshme dhe një set pajisjesh të tjera do të jenë pjesë e spitalit rajonal të Fierit, duke garantuar një shërbim më cilësor për pacientët. 975,000 Euro është vlera e investimit në aparatura në spitalin e Fierit këtë vit. Por jo vetëm ne Fier, ne po investojmë në fuqizimin e spitaleve rajonale në të gjithë vendin, ku do të instalohen aparatura të reja të teknologjisë së lartë me vlerë 4.5 milion euro.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu
Ministrja lajmëroi dy shërbime të reja që do t’i shtohen spitalit të Fierit.

Ne do të ngremë për herë të parë në Fier qendrën e hemodinamikës për t’ju përgjigjur në kohë urgjencave kardiake me metodat më të avanacuara dhe për këtë siç e pamë, është gati projekti për vendosjen e angiografit në këtë spital brenda qershorit. Gjithashtu do të ndërtojmë në këtë spital qendrën e kemioterapisë për të sëmurët me tumore, të cilët nuk do të kenë më nevojë të vijnë në Tiranë për këtë shërbim.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu