Marrëveshja në Kuvend, SHBA do të instalojë në pikat kufitare sistemin e monitorimit të lëvizjeve të udhëtarëve

25 Maj 2018, 09:52

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të asistojnë autoritetet shqiptare për blindimin e kufijve, duke rritur maksimalisht kontrollin dhe sigurinë, për identifikimin dhe kapjen e çdo personi që ka probleme me ligjin brenda apo jashtë Shqipërisë.

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektmarrëveshje mes Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal (PISCES), pikat e kalimit kufitar. Marrëveshja parashikon që SHBA do të instalojnë sistemin e ri për monitorimin e lëvizjes së udhëtarëve në pikat e kontrollit kufitar.

Sistemit PISCES do të instalohet fillimisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në vijim, instalimi i sistemit PISCES do të zgjerohet edhe në aeroporte apo pika të tjera kufitare, të caktuara nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sistemi i ri shton disa elemente sigurie të kontrollit në pikat e kalimit kufitar. Elementi kryesor është ai i të dhënave biometrike të cilat do të identifikojnë edhe raste të vështira për t’u zbuluar nëpërmjet sistemit aktual. Gjithashtu, instalimi i këtij sistemi do të shoqërohet me një rinovim të infrastrukturës, duke pajisur çdo punonjës me kompjuter, lexues dokumentesh, lexues gjurme gishti, kamera për kontrollin e fytyrës.