Tmerri i masakrës në Selenicë, trupat e viktimave të mbuluar me çarçafë

10 Gusht 2018, 19:34 | Përditesimi i fundit: 2018-08-11 20:27:35

VLORE - Masakër me armë zjarri në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë. Tetë persona janë qëlluar për vdekje duke regjistruar kështu ngjarjen më të rëndë kriminale në vendin tonë, ndërsa raportohet edhe për disa të plagosur. Autori i kësaj ngjarje është një 24-vjeçar i identifikuar si Ridvan Zykaj. RENEA, FNSH, DELTA FORCE blindojnë fshatin. 

Autori ka qëlluar me breshëri në drejtim të tetë personave, nga të cilët 6 kanë humbur jetën në vend, ndërsa dy të tjerë rrugës për në spital. Fshati Resulaj ndodhet rreth 60 minuta larg Bashkisë Selenicë.
"Shqiptarja.com" mëson se shkak për ngjarjen paraprakisht dyshohet të ketë qenë ushqimi për pulat. Ngjarja ka çuar në konflikt dy familjet e të njëjtit fis çka ka sjellë edhe tragjedinë. I riu i ka hapur zjarr befasisht duke kryer një masakër të vërtetë. Të njëjtat burime saktësojnë se autori dyshohet me probleme mendore. Disa vite më parë ai është shpëtuar nga një zjarr i rënë në fshat dhe prej atëherë ka pasur probleme mendore.RENEA dhe FNSH: Do hapim zjarr nëse autori nuk dorëzohet
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur RENEA, FNSH dhe DELTA FORCE. Autori është ende në gjendje të lirë dhe i armatosur, ndërkohë që vijojnë kontrollet nga toka, ajri dhe deti. RENEA-s dhe FNSH i është urdhër që t'i përgjigjen me zjarr 24-vjeçarit i cili është një rrezik permanent edhe për jetën e efektivëve, pasi ka kryer masakrën me tetë të vdekur pak minuta më parë në qendër të fshatit Resulaj të Selenicës.