Masakra me 3 të vrarë në Mat, zhvillohet cermonia mortore për punonjësit e bashkisë

12 Tetor 2018, 13:05

MAT- Stafi i Bashkisë së Matit së bashku me deputetin e LSI-së, Përparim Spahiun, ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të tre punonjësve që u vranë me breshëri automatiku në fshatin Shëlli. Gazetari i  'Report Tv', Artan Rizdvani, ka bërë me dije se rreth orës 17:00 në Mat për të vizituar familjarët e viktimave do të shkojë edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Nga breshëria e automatikut për një sherr banal kanë mbetur të vdekur tre persona: Mentor Hoxha, Hamit Buçi dhe Erzen Alija, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur Astrit Hani.

Ditën e djeshme, Këshilli i Bashkisë Mat ka shpallur “Nderi i Bashkisë” tre punonjësit e vrarë, ka vendosur uljen e flamurit në gjysmë-shtizë dhe mori përsipër shpenzimet e funeraleve të viktimave duke ofruar shumën e 9 milion lekëve.

NGJARJA

Masakra e Matit ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12:30, ku autori Kujtim Hoxha iu ka thënë punonjësve të bashkisë: Përse nuk vini dhe më shtroni rrugën afër shtëpisë time, përse po shtroni vetëm këtë rrugë?

Në këtë moment, shoferi i kamionçinës, Erzen Aliaj ka debatuar jashtë lokalit me Kujtim Koxhën dhe e ka qëlluar me shuplakë. Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka marrë armën dhe më pas ka qëlluar punonjësit që po konsumonin drekë duke lënë të vdekur Mentor Hoxhën, Hamit Buçin dhe Erzen Alijan, ndërsa ka plagosur rëndë Astrit Hani.