Masivet pyjore pranë Librazhdit prej dy ditësh në flakë, zjarri shtrihet edhe në Shebenik-Jabllanicë

15 Nëntor 2018, 19:03

Masivet pyjore të rrethit të Librazhdit prej dy ditësh janë të përfshira nga vatra të fuqishme zjarri, të cilat mësohet se po vijojnë të përhapen në të gjitha drejtimet, për shkak të erës së fortë. Si pasojë e saj, po digjen pjesërisht sipërfaqe me ahishte si dhe shtresa me gjethe të rëna nga pemët.

Sipas burimeve të Report Tv, zjarri shihet aktiv konkretisht në kufi të zonës së Shebenikut me atë të Rrajcës.

Punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura, Shërbimit Zjarrfikës dhe Ushtrisë nuk kanë arritur deri më tani të frenojnë flakët, për shkak të vështirësisë që kanë hasur nga terreni.

Ndërkaq, autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar personat që mund t’ua kenë vënë zjarrin në mënyrë të qëllimshme masiveve pyjore në Zonën e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.