Me armë gjahu dhe doreza, 31-vjeçarja grabiste karburantet me kushëririn

22 Korrik 2018, 16:19

Arrestohet grabitsja e karburanteve të Fierit dhe Mallakastrës. Bëhet fjalë për 31-vjeçaren Anna Malaj, e cila ishte kthyer në tmerrin e karburanteve gjatë natës. Anna Malaj së bashku me kushuririn e saj E.G 22 vjeç të shpallur në kërkim, brenda 15 ditësh kishin grabitur një karburant në Levan të Fierit, ndërkohë që kishin tentuar të vidhin edhe dy karburante të tjerë, por pa sukses.

"Shqiptarja.com" ka siguruar edhe foton e grabitëses 31-vjeçare, një vajzë simpatike e cila në pamje të parë nuk të krijon dyshimin se është grabitëse gjakftohtë nën kërcënimin e armëve.   

Dy kushërinjtë në datën 2 korrik kanë marrë 300 mijë lekë të vjetra nga një karburant në Levan, ndërkohë që në datën 7 korrik kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti në mallakastër, por janë përleshur me punonjësit dhe janë larguar. Në datën 15 korrik pre e dy grabitësve ka rënë që pikë karburanti në lagjen 1 maji në Fier, por edhe në këtë rast punonjësit nuk i kanë lejuar të marrin xhiron ditore.

Për të realizuar grabitjet, Anna Malaj nga Mallakstra dhe kushëriri i saj përdornin një pushkë gjahu dhe një automjet të cilit i vendosnin targa të vjedhura. Arma e gjahut së bashku me 6 fishekë janë sekuestruar nga Policia, ndërkohë që është gjetur edhe makina si dhe targat e makinës të falsifikuara. Dy kushërinjtë akuzohen për vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje, vepra penale që parashikojnë dënim deri në 10 vite burg.