Meghan Markle u grimua vetë në ditën e dasmës, në dukje qukat

20 Maj 2018, 15:59

Një nuse në mënyrën e saj, natyrale dhe me pamje rrëzëllitëse. Kështu ka zgjedhur Meghan Markle të jetë në ceremoninë martesore me princin Harry. Njësoj si Kate Middleton, edhe Meghan Markle u grimua vetë në ditën e saj më të rëndësishme.

Para dasmës mbretërore nuk u fol për një skuadër grimierësh që do të rregullonin Meghanin, pasi një skuadër e tillë nuk ekzistonte. Meghan Markle u grimua vetë me ndihmën e dy mikeshave të saj amerikane.

Markle ka refuzuar të punësojë një artist makeupi, duke u mjaftuar me ndihmën e dy mikeshave të saj nga Amerika, ka thënë një i “brendshëm” i Pallatit Mbretërore për “Express.uk”. Ato nuk ishin profesioniste, vetëm mikesha të ngushta të nuses,  shkruhet më tej.

Markle duket se ka ndjekur kështu këshillën e kunatës së saj, princeshës Kate Midelton në mënyrë që në këtë ditë ajo të ishte sa më pranë natyrales dhe të ndihej sa më mirë përpara miliona njerëzve që e ndoqën dasmën mbretërore.

Thjeshtësia e fustanit e grimit të saj ishte ndër gjërat që u komentuan më gjatë. 36-vjeçarja dukej magjepsëse me të bardha dhe me kurorën me gurë të çmuar, teksa velloja i mbulonte të gjithë fytyrën e buzëqeshur. Grimi i saj ishte shumë i lehtë, aq sa dhe qukat e saj ishin të dukshme.