Menaxheri i futbollit Andi Matraxhiu: Ka lojtarë shqiptarë që vlejnë 1 mln euro

21 Prill 2018, 17:24

Pak ditë më parë, talenti i futbollit shqiptar Kristal Abazaj u shit tek ekipi i Anderlecht në Belgjikë për 750 mijë euro, një shifër rekord për një lojtar shqiptar nga Kategoria Superiore. Ndërkohë, talentë të tjerë janë gati të shiten në kampionatet prestigjoze evropiane, madje duke u lakuar shifra deri në 1 milionë euro.

Por a ka talentë shqiptarë futbolli ynë që vlejnë në këto shifra? Përgjigjen e jep menaxheri shqiptar Andi Matraxhiu, që sapo ka realizuar transferimin e Elis Bakajt në kampionatin bjellorus. 

“Ka futbollistë, por është klubi që mirëmban këto ‘gonxhe’ që duhet të çelin dhe më pas të lulëzojnë. Historia e Gurit ka një ‘pengesë’ të vogël, pasi Kukësi për këtë vit ende nuk ka performuar në kupat e Europës. Mendoj se klubi i Kukësit nuk duhet të nxitohet, pasi përballë ka një pasarelë të tillë si Europa League apo në Champions League ku ata mund të marrin pjesë.

Pas kësaj edhe kartoni i lojtarit do të rritet akoma më shumë. Mendoj se Kukësi duhet të jetë i duruar, siç po tregon në këto momente, duke lënë mënjanë ofertat nga Azia, madje më pëlqen edhe iniciativa e lojtarit që kërkon të jetë në një klub në Europë” .

Andi Matraxhiu, menaxher futbolli