Meta rrëzon buxhetin 2019, i ftuar Erion Braçe

14 Dhjetor 2018, 14:04

Presidenti Meta riktheu për shqyrtim ligjin për buxhetin pas protestës dhe kërkesave të studentëve për arsimin. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe i ftuar në emisionin 45 Minua në Report TV tha se ligji u dërgua vetëm dje në Presidencë, ndërkohë që Meta ndodhet jashtë vendit dhe sot u shpreh duke e rikthyer. Braçe ngre pyetjen si e shqyrtoi Presidenti kaq shpejt buxhetin. Sipas tij vendimi reflekton qëllime të pastra partiake duke e lidhur me LSI-në.

“Kam një pyetje kush President? Ku është dekreti i Presidentit? Ky është njoftim për shtyp. Ligji për buxhetin e shtetit të vitit 2019 është dorëzuar dje paradite i zbardhur nga Kuvendi, datë 12.12.2018. Këtu nuk është firma e Presidentit. Ky shtet nuk është serioz. Ligji është dorëzuar dje. Tani kam dy gjëra; Presidenti është larguar dje nga vendi, ndërkohë që ky dokumentet është dorëzuar, Presidenti nuk ka qenë në zyrë. Kjo tregon mungesë serioziteti.

Presidenti nuk është në Shqipëri, si e ka shqyrtuar? Kjo një pyetje akoma më e madhe se firma. Ligji është dorëzuar dje, ai nuk ka qenë në zyrë. Si e mori informimin për buxhetin e arsimit të lartë Nuk ka. Vendimi reflekton qëllimi të pastra partiake. Nuk e kam hallin fare te firma apo dekretimi në mungesë. E kam hallin në mungesë totale të shqyrtimit, nëse gjërat dekretohen pa u shqyrtuar, kjo është fatkeqësi e madhe për këtë vend. Nëse Presidenti do të kishte njohur me detaje buxhetin nuk do ta kishte kthyer, sikur pretendon LSI, ish-partia e Presidentit. Edhe prej andej më vjen mosnjohja e akteve të buxhetit”tha ai.