Misteri i vrasjes në Shkodër/ Intenerari si ikën atentatorët, do zbardhen tabulatet telefonike

17 Korrik 2018, 15:29

Ende mbetet mister vrasja mafioze e së dielës në lagjen "Naim Gjylbegu" ku u ekzekutuan me armë automatike "MP5", çifti i bashkëjetuesve Boran Bërçana dhe Silva Ndoci. Nga burime pranë grupit hetimor të policisë së Shkodrës bëhet me dije se pista kryesore e hetimit, është përfshirja e çiftit të bashkëjetuesve në trafiqet e lëndëve narkotike në Shkodër.

Nisur nga kjo e dhënë, blute e Shkodrës kanë nisur zbardhjen edhe të tabulateve telefonike të cilat mund të nxjerrin konkluzione dhe të ndihmojnë hetuesit e kësaj çështje për të rënë në gjurmët e atentatorëve por pse jo edhe të porositësve të këtij krimi, pasi dyshohet se vrasja është kryer nga vrasës me pagesë.

Sa i takon hetimeve të deritanishme, gjithçka është ndalur tek vëzhgimi i kamerave të sigurisë, të cilat mund të japin më shumë detaje në lidhje me identitetin e autorëve të vrasjes të cilët sipas të dhënave pranë grupit hetimor, janë drejtuar nga zona e Teatrit "Migjeni" në qëndër të qytetit në Lagjen "Naim Gjylbegu" dhe aty kanë parë mjetin e viktimës i cili ishte drejtuar për në banesën e tij. Pasi automjeti ka marrë kthesën për tu futur në rrugicën e pallatit ku jetonin me qera, një person pa maskë, ka dalë nga mjeti tip Benz dhe i është afruar automjetit të viktimave, ku ka qëlluar me breshëri, duke lëshuar 23 plumba në drejtim të ciftit të bashkësjetuesve.

Pas kryerjes së krimit makabër, autori nuk ka qëlluar në drejtim të djalit 2 vjecar duke u larguar me shpejtësi në drejtim të mjetit që e priste në rrugën kryesore. Më pas ato i janë drejtuar lagjes Kiras, ku kanë dalë në bypasin e qytetit duke iu larguar zonës së banuar dhe i kanë vënë flakën mjetit.

Blute e Shkodrës, kanë sekuestruar disa kamera sigurie në qytetin e Shkodrës në mënyrë që të përshkruhet I gjithë itinerari i atentatorëve, në disa pika të Shkodrës që nga nisja dhe deri ne largimin e tyre ku I është vënë flaka mjetit. Pavarësisht këtyre fakteve, grupi hetimor i Shkodrës nuk ka ende një konkluzion të saktë mbi identitetin apo porositësin e kësaj vrasje makabre që tronditi Shkodrën.