Ndryshimet në statut/ Përjashtohen dhëndri i Berishës dhe 24 figura nga Kryesia e PD

22 Prill 2018, 10:54

Paketa me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, përpos përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar dhe ndryshimin e rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, ka prodhuar edhe një surprizë të tjetër.

Ndryshimet në statut, miratuar ditën e premte nga Këshilli Kombëtar, përjashtojnë Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, nga Kryesia e Partisë Demokratike. Krahas Malltezit nga Kryesia e PD largohen automatikisht edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.

Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë, një numër mjaft i reduktuar në krahasim me numrin e të larguarve.