Negociatat, Gjermania: Të bëhet vettingu për 57 gjykatësit e parë dhe të ngrihet SPAK

22 Qershor 2018, 22:45

Gjermania është pro hapjes së negociatave për Shqipërinë në datë 28 qershor, por me disa kushte, të paraqitura nga Bundestagu përmes një projektrezolute me nëntë pika, ndër të cilët dy janë më kryesorët; Përfundimi brenda vitit i vettingut për 57 gjyqtarët dhe prokurorët e parë dhe ngritja e SPAK-ut. Berlini kërkon ritëm më të shpejtë për të përfunduar procesin e rivlerësimit për 57 gjykatësit dhe prokurorët e gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritarë.

Nga 22 marsi deri më sot 22 qershor në sitën e vettingut kanë kaluar 16 subjekte ku më pak se gjysma e tyre e kanë kaluar kontrollin e pasurisë, figurës, anës profesionale dhe asaj morale. Pra kanë mbetur dhe 41 gjyqtarë dhe prokurorë që do kalojnë testin e vettingut me këtë ritëm finalizimi i procesit për 57 subjekte i bie të përfundojë në muajt shkurt ose mars të 2019.  Duke u bazuar në këtë kusht mund të flasim edhe për çelje negociatash për Shqipërinë në muajt mars ose prill të vitit të ardhshëm.

Në projektrezolutë theksohet se ngritja e (SPAK) “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” është me mjaft rëndësi për të luftuar krimin dhe korrupsionin.  Ndërkohë kujtojmë se ngritja e SPAK do bëhet pasi të plotësohen vendet vakante te Këshilli i Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga prokurorë e gjykatës që do kalojnë testin e vettingut.

Në KLGJ dhe KLP deri tani janë zgjedhur nga pesë anëtarë nga parlamenti, teksa duhet të zgjidhen edhe nga 6 anëtarë, respektivisht në të dy organet. Pra nga 41 gjyqtarët dhe prokurorët që do kalojnë Vettingun, duhet të jenë të paktën 6 gjyqtarë dhe 6 prokurorë, pasi në të kundër plotësimi i vendeve vakantë të KLGJ e KLP mbetet pezull.  Vetëm pasi të plotësohen me nga 11 anëtarë KLGJ e KLP nisin procedurat për ngritjen e organeve të SPAK.

Plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritarë në kuadër të vetingut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative. Të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK). Të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar

Dy nga pikat e projektrezolutës së Bundestagut gjerman për Shqipërinë