Nga shtëpitë falas, dyfishimi i rrogës, rojet personale e pensionet speciale/ Ja si shteti shpërblen ata që kaluan Vettingun

6 Qershor 2018, 10:48

Shtatë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë kaluar deri tani rrjetën e trefishtë të Vetingut, duke u konfirmuar në detyrë, do të shpërblehen nga shteti shqiptar. Subjektet e konfirmuara në detyrë do të përfitojnë shumëfishim të pagës, shpërblime të tjera, mundësi për të marrë shtëpi të financuar nga shteti, siguri fizike, siguri për fëmijët, pensione speciale, pushime të gjata të paguara etj.

Të gjitha këto privilegje janë kërkuar nga përfaqësuesit e SHBA-BE, që kanë asistuar autoritetet shqiptare për hartimin e reformës në drejtësi, me qëllim për t’i bërë njerëzit e drejtësisë së re të pavarur nga politika dhe të pathyeshëm nga krimi. Këto garanci pritet t’i bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët që do të shërbejnë në drejtësinë e re, të pathyeshëm. Të gjitha këto përfitime do të garantohen nga shteti shqiptar, në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi. 

Rritja e pagës   
Paga e një gjyqtari dhe prokurori që ka kaluar Vetingun shkon deri në 3 mijë USD në muaj. Sipas nenit 12 të ligjit për statusin e magjistratëve, paga bazë e prokurorit dhe gjyqtarit që kalon Vetingun shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim.