Nis mbyllja e pikave të basteve, kompanitë zhvendosin aktivitetin në Kosovë dhe Maqedoni

19 Nëntor 2018, 17:14

Pas miratimit të ligjit për mbylljen e të gjitha basteve sportive e lotarive në vendin tonë, kompanitë e basteve kanë nisur zhvendosjen e aktivitetit drejt Kosovës dhe Maqedonisë, ku ende ky biznes cilësohet i ligjshëm. Report Tv mëson se shumë kompani kanë nisur zhvendosjen edhe të bazës material, duke zgjeruar aktivitetin në këto dy vende.

Sipas të dhënave që vijnë nga këto dy vende, pikat e basteve po marrin me qira ambiente të reja për hapje sallonesh për baste. Në lidhje me këtë zhvendosje të kompanive të basteve, Report Tv ka kontaktuar edhe me kreun e Shoqatës së Basteve, Artan Shyti, i cili pohoi se shumë kompani shqiptare kanë pasur aktivitet në Kosovë e Maqedoni. Sa i përketë shtimit të pikave, Shyti e cilësoi politikë individuale të kompanive.

Këto janë politika të kompanive. Ajo që di unë është se kompanitë ka qenë të shpërndara edhe në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni. Kompanitë kanë filialet e tyre dhe përsa kohë atje nuk është mbyllur ky biznes, ky aktivitet vijon, ndërsa në Shqipëri do të mbyllet në datën 1 janar.

Artan Shyti, kryetar i Shoqatës së Basteve

Teksa ka edhe më shumë se një muaj afat për mbylljen e të gjitha pikave, mësohet se rreth 70 përqin e tyre kanë ndërprerë aktivitetin, duke mbyllur pranë QKR-së NIPTET sekondare të salloneve. Sipas Shytit, deri më sot në të gjithë vendin numërohen rreth 3 mijë sallone të mbyllura. 

"Janë 3 mijë pika, nga 4300 pika, që kompanitë i kanë paraqitur për mbyllje brenda datës së sotme", thotë Shyti. 

Sipas kreut të Shoqatës së Basteve kanë filluar të ndjehen edhe pasojat e para për mbylljen e këtyre pikave, pasi nga pikat e mbyllura deri më tani numërohen rreth 4500 të punësuar që dalin sit ë papunë, por kjo shifër llogaritet të jetë deri në 7 mijë. Me një ligj të posaçëm, qeveria vendosi që nga 1 janari të mbyllen të gjitha pikat e basteve sportive në Shqipëri, lotarive të tjera dhe kazinove elektornike në zonat e banuara.