Nis zbatimi i Kodit / Etika, ja 40 gabimet që nuk duhet të bëjnë deputetët

11 Nëntor 2018, 15:51

Falë presionit disavjeçar të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit në Këshillin e Evropës (GRECO), Byroja e Kuvendit, që në datën 27 shtator të këtij viti, i ka hapur rrugë zbatimit të Kodit Etik të Deputetëve, përmes hartimit dhe miratimit të një udhëzuesi të detajuar. Ky udhëzues plotëson me interpretim, shpjegim dhe me rregulla procedurale Kodin që rregullon dhe disiplinon sjelljen e deputetëve në Kuvend, por edhe në jetën private. Duke iu referuar Kodit Etik dhe udhëzuesit për shpjegimin e tij, Shqiptarja.com ka identifikuar 40 sjellje apo veprime që deputetë nuk duhet t’i bëjnë as në Kuvend dhe as në jetën private. Si Kodi Etik, ashtu edhe udhëzuesi, i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së ekuilibrit fizik dhe mendor të deputetëve. Dy dokumentet ndalojnë paraqitjen e deputetit në seancat plenare, komisionet parlamentare apo takime të ndryshme, nën efektin e alkoolit apo substancave narkotike. Gjithashtu, deputetët nuk duhet të përdorin stafin dhe pasurinë e Kuvendit për interesa personale. Kodi Etik ndalon deputetë që të marrin pjesë në tendera publike dhe që të posedojnë aksione në kompani të ndryshme me pozita dominuese në treg. Nuk mund të marrin pjesë në tendera dhe as të posedojnë aksione në kompani me pozita dominuese në treg as familjarët e deputetit, ku përfshihen fëmijët, prindërit dhe bashkëshorti ose bashkëshortja. Ligjvënësit duhet të kenë kujdes edhe sa i takon rasteve të konfliktit të interesit në mbrojtjen dhe votimin e ligjeve të caktuara. Ata nuk duhet të votojnë një ligj kur janë në konflikt interesi.