Nuk justifikonte pasurinë, KPK shkarkon prokurorin e '21 janarit' Adriatik Cama

KPK nuk konfirmon në detyrë prokurorin e Tiranës, Adriatik Cama. Në përfundim të këtij procesi të rivlerësimit, trupa gjykuese vendosi shkarkimin nga detyra të prokurorit, pasi është kapur me shumë shkelje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në seancën e zhvilluar paraditen e djeshme.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se Cama, ish-prokuror i disa dosjeve me rëndësi, mes tyre ’21 Janari’ nuk justifikon pasurinë, është i korruptuar dhe vihet në presion nga struktura kriminale, pra është i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Trupa e KLP u shpreh se sipas ILDKPKI, gjyqtari nuk kishte probleme me deklarimin e pasurisë, ndërsa nga hetimi ka rezultuar se ka kryer deklarim të rremë, pasi nuk justifikon 1 milion e 865 mijë e 30 lekë te blerja e banesës, makinën dhe ka probleme me një deklarim të një ambienti.

Prokurori Cama nuk është kapur me shkelje vetëm për pasurinë, por edhe nga DSIK, pasi sipas raportit, është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. DSIK thekson se Cama është përfshirë në korrupsion kur ishte në prokurorinë e Lushnjes. Nga hetimi ka rezultuar se Cama kur ishte drejtues në Lushnje sëbashku me një prokuror tjetër kanë marrë para nga familjarët e një të arrestuari për kontrabandë duke pushuar çështjen.