Pamjet ekskluzive të aksionit në Nikel, momentet e ndalimit të të 'fortëve'

12 Shtator 2018, 09:09 | Përditesimi i fundit: 2018-09-12 21:27:09

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm forcat speciale, FNSH, RENEA, shoqëruar nga mjete të blinduara rrethuan fshatin Nikël të Krujës duke kryer kontrolle të befasishme në banesat e një grupi personash të cilët janë njohur si grupi i Niklës.

REPORT TV mëson se mes banesave të rrethuara dhe kontrolluara ishin ato të fisit të njohur në këtë zonë Haka. Vilat e Flamur Hakës i njohur me nofkën Tuku, Marenglen Hakës, Durim dhe Valter Bamit, Ylli Cangut etj.

Nga operacioni 6 persona u shoqëruan, ndërsa 2 të tjerë u arrestuan, Durim Bami dhe Flamur Haka. Të shoqëruar janë Marenglen Haka, Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu (kunati i vëllezërve të Durim e Valter Bamit).  Ylli Cangu është djali i Naim Cangut që mbeti i vrarë në atentatin e Azem Hajdarit. Naim Cangu ishte me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin.

Fillimisht pas nisjes së operacionit në orën 05:00  policia shoqëroi në mjet të blinduar Tukun, që njihet si më kryesori i Niklës, më pas personat e tjerë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa ngjarje kriminale në këtë zonë.

REPORT TV siguron pamjet ekskluzive të momentit të shoqërimit të tetë personave në fshatin Nikël të Krujës, ndërsa policia do i dërgojë në Tiranë.  Në operacion morën pjesë mbi 20 mjetë të forcave speciale në aksion, autoblinda dhe furgona të FNSH dhe RENEA.