Panairi i Librit/ Letërsia për fëmijë pa çmim, shkrimtari: Letërsi për fëmijë ka, mungon interesi i botuesve edhe institucioneve

Lexuesit e sinqertë, fëmijët, duhet që të kenë saherë në duart e tyre një letërsi të mirëorientuar. Por, rreziku është edhe më i madh kur bëhet fjalë për letërsi shqipe për fëmijë...  

“...Letërsia për fëmijë vjen shumë e mirë e përkthyer, por kemi pasur shumë pak libra me autorët tanë letërsi artistike origjinale. Në këtë pikë kemi qenë të gjithë në një mendje, që çmimin e letërsisë për fëmijë për hir mossigurimit të një konkurrence normale për të përzgjedhur librin më të mirë në këtë zhaner të mos e japim këtë vit si një çmim të Panairit të Librit”... 

Këtë kontestoi kryetarja e jurisë së çmimeve në Panairin e Librit, Lili Sula, gjatë ndarjes së çmimeve. Argument që për shkrimtarin dhe studiuesin, nuk mjafton që letërsia për fëmijë të mosvlerësohet fare...
Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj

 “Është për të ardhur keq, që edhe sivjet nuk u dha një çmim për letërsinë për fëmijët. Nuk e di se cilat janë shkaqet, por një gjë e them me siguri, se letërsi për fëmijë ka, por problemi është sesa ne e zgjedhim dhe e vlerësojmë atë letërsi shqipe. Ne nuk po zbulojmë autorë të rinj që shkruajnë për fëmijët. kjo është shumë e domosdoshme, sepse përgatit brezin e ardhshëm”.