Partizani-Kukësi, trajneri Gega flet për verilindorët dhe çështjen e rinovimit

12 Dhjetor 2018, 15:23

Të premten në “Selman Stërmasi” Partizani kryesues i Superligës do të përballet me Kukësin që në kryeqytet synon të marrë fitoren për të shkurtuar diferencën e pikëve me të kuqtë. Një sfidë që është më e rëndësishmja për javën e 17-të, por që do të luhet pa tifozë për shkak të vendimit të displinës. Në prag të ndeshjes në konferencën për shtyp trajneri i Partizanit, Skënder Gega është shprehur:
E di që është një ekip i vështirë, ka potencial, i respektojmë. Ne jemi ekipi kryesues me 5 pikë diferencë. Do të bëjmë atë që dimë më mirë. Jemi përgatitur për Kukësin dhe çdo ekip në Shqipëri.”

Më tej numri 1 i pankinës së Partizanit kanë komentuar zërat për rinovimin e kontratës së tij me të kuqtë. 

Jam në shtëpinë time. Marrëveshja jonë ka qenë marrëveshje mes familjes. Kur erdha, nuk erdha për të ndenjur as 5 vjet as shumë vite, por për të kontribuar. Deri tani jam i kënaqur dhe jam krenar për futbollistat dhe punën që bëj. Kur të vij momenti do diskutojmë.”, ka thënë, Skënder Gega.

Ndërkohë sulmuesi Rubin Hebaj për sfidën me Kukësin ka deklaruar: “Jemi më të qetë besoj sepse jemi 5 pikë përpara. Shpresoj të fitojmë dhe ta mbajmë diferencën njësoj.”
Partizani për këtë sfidë do të ketë të padisponueshëm Jasir Asanin për shkak kartonash, ndërsa Ardit Hila mund të pezullohet në ditët në vijim nga disiplina.