Pastrimi i Parkut të Liqenit me mjete moderne dhe ekologjike, Veliaj: Duhet bashkëpunim me qytetarët

11 Nëntor 2018, 16:24

Nga fshesat te makineritë ekologjike supermoderne Euro6: Pastrimi i Parkut të Liqenit do të bëhet me mjete të teknologjisë së avancuar, automatike dhe mbi të gjitha, që nuk ndotin mjedisin.

Bashkia e Tiranës, mbështetur nga Ambasada Japoneze në Tiranë përmes “Grassroots Human Security Project”, e ka pajisur Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit me makineri dhe kosha që mundësojnë një pastrim më të shpejtë dhe efikas të Parkut të Liqenit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe ambasadori i Japonisë në vendin tonë, Makoto Ito, falenderoi miqtë japonezë.

Para pak javësh, me ambasadorin japonez firmosëm një marrëveshje e cila mundëson një sistem të ri pastrimi, ekologjik, efiçent, që e bën xixë në kohë rekord Parkun e Tiranës, që njerëzit të gdhihen çdo mëngjes e të gjejnë një park të pastruar nga fillimi në fund, në 2 milionë metra katrorë. Pas asaj marrëveshje, sot kemi një sistem të ri, me mjete ekologjike që mbledhin të gjitha mbeturinat, si për kosha të mëdhenj, si për kosha të vegjël.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës

Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve, të cilët jo vetëm që nuk duhet të ndotin mjedisin, por edhe të kujdesen që mbetjet t’i hedhin në vendet e caktuara.

Tani na duhet shumë bashkëpunim nga qytetarët, duhet ta mirëmbajmë parkun, t’i hedhim mbeturinat atje ku duhet, të bëhemi pjesë e fushatës së mbjelljes së pemëve, të ulim lëvizjet me makinat private për distancat e vogla, që jo detyrimisht janë të nevojshme.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës