Pasuritë e dyshimta/2 200 të afërm të gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontroll

24 Qershor 2018, 11:28

Në Shqipëri po kryhet kontrolli më masiv dhe i thelluar në histori për pasuritë e dyshimta. Verifikimi i ligjshmërisë së pasurisë së 794 prokurorëve dhe gjyqtarëve, në kuadër të zbatimit të ligjit të Vetingut, ka qenë objekti kryesor i punës dhe veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2017.

Krahas prokurorëve dhe gjyqtarëve, ILDKPKI ka nisur verifikimin e pasurive të mbi 2 mijë e 200 të afërmve të tyre, tek të cilët prokurorët dhe gjyqtarët mund të kenë fshehur apo kamufluar një pjesë të pasurisë. Në tërësi, ILDKPKI po verifikon pasurinë e mbi 3 mijë personave. “Inspektorati i Lartë, me qëllim përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për realizimin e kontrollit të plotë të deklaratave të pasurisë lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat private, dërgoi korrespondencën shkresore për marrjen e informacionit për me shume se 3.000 persona (subjekte të rivlerësimit dhe persona të lidhur)”, thuhet në raportin vjetor të ILDKPKI. Ndërkaq, rreth pasurisë së 794 prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfshirë mbi 2 mijë e 200 të afërm të tyre, kanë dërguar informacion në ILDKPKI rreth 26 institucione shtetërore dhe private.

Dokumentacioni i përcjellë pranë ILDKPKI përbëhet nga 1 milionë e 200 mijë faqe. “Korrespondenca shkresore ju dërgua fillimisht rreth 26 institucioneve juridike publike dhe private, (Banka e Shqipërisë, banka të nivelit të dytë, shoqëri investimesh, ZQRPP, QKB, ALUIZNI, DPT, DPPPP, Drejtoria e Përgjithshme Detare, OSSHE, etj). Gjatë procesit të kontrollit, në varësi të ecurisë së tij, si dhe nevojës për të marrë informacione shtesë, ILDKPKI vijoi me dërgimin e mëtejshëm të korrespondencës shkresore pranë institucioneve juridike publike dhe private.