PD: Bashkia po betonizon parkun e liqenit, Veliaj: Kanë hallin e kunetërve

21 Tetor 2018, 16:13

Partia Demokratike ka akuzuar sot kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj se bashkë me qeverinë po betonizojnë hyrjen e  parkut të liqenit të Tiranës. Kryetari i Departamentit për Mjedisin në PD, Jamarbër Malltezi ka thënë se ka një plan rregullues të bashkisë që po mbahet i fshehtë dhe se ky plan ka ndryshuar. Malltezi ka thënë se faqet e internetit të institucioneve janë jashtë funksionit, dhe sipas PD, kjo tregon se plani rregullues po fshihet.

Mafia e lidhur me bashkinë e Tiranës dhe me qeverinë. Bashkia e Tiranës ka ndryshuar planin e vitit 2012 që ndalonte ndërtime në çdo park dhe lulishte të qytetit. Me planin e ndryshuar, hyrja e parkut të liqenit kthehet ne beton masiv. Parku dhe plani rregullues i bashkisë mbahet i fshehtë duke mos e publikuar. Hyrja e parkut të liqenit u betonizua.

Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Mjedisin në PD

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i është përgjigjur akuzave të kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, se po betonizohet hyrja e Parkut të Liqenit.

Në inspektimin e hapësirave të reja që do t’i bashkohen këtij parku, kryebashkiaku Veliaj tha se akuzat e PD, burojnë nga interesa të ngushta dhe krejtësisht private, e jo nga interesi i qytetarëve, të cilët duan që ky territor t’i shtohet parkut.

Unë e kuptoj shqetësimin e Partisë Demokratike! Të gjitha këto kanë qenë llokma të prenotuara për kunetër, për vjehërr. E kuptoj shqetësimin e tyre, duhet të jenë realisht të tronditur që kjo hapësirë i shkon qytetit dhe jo kunetërve. Fakti që dalin përditë, përditë për këtë hapësirë, do të thotë se u ka dhembur shumë fakti që këtë hapësirë do e gëzojnë qytetarët e Tiranës dhe jo ata që, në fakt, duhet të kalojnë në vetting. Prandaj, të gjithë jemi buzagaz kur dëgjojmë për vettingun e Lul Bashës, sepse ne presim vettingun e SPAK dhe BKH, që i shkon edhe vjehrrit, edhe kunatit, gjithë fisit e farës ku parkohen asetet e vjedhura nga ky vend. Ndërkohë, marrim sot një version komplet të holluar, ku vettingun e bëjnë vetë politikanët, ku nuk preken vjehërrit e kunetërit, dhe ku sigurisht, nuk japin llogari për gjithë dëmet që i kanë bërë këtij vendi. Por, ne kemi nevojë për një vetting të vërtetë, kemi nevojë për agjenci të vërteta që i menaxhojnë këto asete, dhe jo për vjehërrit e kunetërit.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë