PD: Dako, peshku i madh i dosjes '339'. Kryeministri po pengon hetimet

19 Nëntor 2018, 12:45

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi tha këtë të hënë në një konferencë për mediat se kryeministri Edi Rama po bllokon hetimet ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Ai u shpreh se ndonëse dosja “339” dëshmon lidhjet e Dakos me bandën kriminale të Avdylajve, ai vazhdon të jetë i lirë dhe në krye të detyrës.

Gjunkshi vijoi më tej duke thënë se dosja “339” është gjithashtu dëshmia sesi qeveria e Ramës nuk i ka fituar zgjedhjet, por i ka vjedhur së bashku me bandat kriminale.

“Shkarkimi i kryebashkiakut të Durrësit duhet të ishte veprimi i parë që duhet të kishte bërë një kryeministër i pakapur nga krimi”, tha deputeti demokrat, duke shtuar se “Edi Rama po tenton bllokimin e dosjes 339, sepse me arrestimin e Dakos zbardhet me prova ligjore denoncimi i opozitës dhe konstatimi i vëzhguesve ndërkombëtarë se si zgjedhjet e vitit 2017-s u blenë.”